Universiteti i Tiranës u themelua në vitin 1957 dhe kishte në përbërjen e tij 6 fakultete. Në vitin 1991, nga ky universitet, në atë kohë me 11 fakultete, u shkëputën fakultetet inxhinierike, që krijuan Universitetin Politeknik të Tiranës. Universiteti i Tiranës është universiteti më i madh publik në vend. Ai është zgjedhja e parë për maturantët e shkollave të mesme. Ai përbëhet nga 6 fakultete pas largimit në janar të viti 2013 të Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike (ish Fakulteti i Infermierisë). Në Universitetin e Tiranës studiojnë rreth 40 mijë studentë në të tre ciklet e studimit në sistemin me kohë të plotë dhe atë të pjesshme. Një nga qëllimet e Universitetit të Tiranës ka qenë njohja e tij ndërkombëtare. Kjo ëndërr tashmë është realitet me përfshirjen e tij si institucion partner në disa programe bashkëpunimi të Komisionit Europian si Erasmus +. UT ka nënshkruar edhe shumë marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe institucione të ndryshme evropiane dhe botërore. Këto marrëveshje kanë si qëllim shkëmbimin akademik dhe studentor, programe kërkimore të përbashkëta, shkëmbime akademike në botime, revista, organizmin e konferencave të ndryshme etj. UT gjithashtu është anëtar ishumë rrjeteve të huaja si: AUF, UNICA, UNIMED, CMU , EUA ,Magna Charta Observatory . UT ka gjithashtu një website në dispozicion të studentëve: www.unitir.edu.al.

Struktura Organizative Institucionale e UT-së

Rektori

Rektori është autoriteti më i lartë akademik i institucionit të arsimit të lartë, si dhe përfaqësuesiligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare, sipas përcaktimeve të ligjit. Në institucionet publike të arsimit të lartë ai zgjidhet nga anëtarët e asambleve të personelit akademik të njësive kryesore dhe studentët. Votat e studentëve në përzgjedhjen e Rektorit llogariten në masën dhjetë përqind (10%) të totalit të përgjithshëm të votave. Kandidatët për Rektor vetëkandidohen. Mandati i Rektorit zgjat katër vjet. Ai shërben në detyrë për një mandat, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Rektor i zgjedhur pas zgjedhjeve të 30 korrik 2020 është Prof. Dr Artan Hoxha.

Senati Akademik

Senati Akademik është organ kolegjial vendimmarrës i zgjedhur në nivel universiteti. Senati është organi më i lartë i universitetit që përcakton politikat e zhvillimit të tij, programon, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtaritë e mësimdhënies e të kërkimit shkencor, problemet administrativo-financiare si dhe vlerëson efikasitetin e tyre. Senati kryesohet nga Rektori dhe mblidhet periodikisht.

Rektorati

Rektorati në institucionet e arsimit të lartë është organ kolegjial që harton planin strategjik të
zhvillimit të institucionit.
Ai drejtohet nga Rektori dhe përbëhet nga:

  • Rektori
  • Zëvendës rektori/ët
  • Administratori i institucionit
  • Drejtuesit e njësive kryesore
  • Autoritete të tjera, të përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë

Struktura Drejtuese e Rektoratit të UT-së

Rektor: Prof. Dr. Artan Hoxha
Zv. Rektor për anën Mësimore: Prof. Dr. Esmeralda Kromidha
Zv. Rektor për anën Kërkimore-Shkencore: Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti
Administrator: z. Skerdi Dafa

Bordi i Administrimit

Bordi i Administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ, i cili garanton përmbushjen e misionit të Universitetit të Tiranës, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij. Bordi i Administrimit të UT përbëhet nga shtatë anëtarë, përfaqësues të IAL-së, të cilët përzgjidhen nga Senati Akademik i IAL-së për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, prej listave të propozuara nga institucioni i arsimit të lartë.

Administratori

Administratori është autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të institucionit. Ai është përfaqësues ligjor i institucionit të arsimit të lartë për çështjet financiare dhe administrative, sipas përcaktimeve të ligjit. Në institucionet publike të arsimit të lartë, ai përzgjidhet me konkurs të hapur, sipas kritereve të
përcaktuara nga Bordi i Administrimit.

Strukturat në mbështetje dhe shërbim të studentëve

Roli i Studentit në Senat Akademik

Çdo student ka të drejtë të vetë-kandidojë për postin e anëtarit të Senatit Akademik, si përfaqësues i studentëve.Në Senatin Akademik zgjidhen 4 përfaqësues, në bazë të votave të marra nga secili kandidat. Procesi i zgjedhjeve, procedurat dhe dokumentacionet e nevojshme për kandidim publikohen zyrtarisht në faqen zyrtare të Univeristetit të Tiranës.

Senatori i zgjedhur
  • Merr pjesë në mbledhjet që organizohen dhe aty mund të japë mendimin e tij (duke përfaqësuar zërin e studentëve) në lidhje me çështjet që diskutohen.
  • Ngre shqetesime në nivel Senati, që janë problematikë e një kategorie të caktuar studentësh.
  • Propozon ide, mendime në lidhje me çështje që i takojnë studentëve.
  • Ka të drejtë organizimi dhe bashkëpunimi me departamente të ndryshme me qëllim përfshirjen e studentëve në aktivitete të ndryshme.
  • Ka të drejtë vote 10% në vendimet që merren në Senat.
Zyra e Këshillimit të Karrierës

Zyra e Këshillimit të Karrierës është një nga strukturat kryesore që gjendet brenda çdo fakulteti të UT. Ajo ofron një gamë të gjerë shërbimesh për studentët dhe të diplomuarit e UT, të cilat kanë për qëllim orientimin e edukimit profesional, lehtësimin e zhvillimit të karrierës, përgatitjen për tregun e punës dhe mbështetje për të vazhduar aftësimin e tyre profesional nëpërmjet të mësuarit gjatë gjithë jetës. Shërbimet kryesore që Zyra e Këshillimit të Karrierës ofron janë:

  • Identifikimi dhe informimi mbi oportunitetet edukative (bursa, trajnime, etj.)
  • Këshillim karriere nëpërmjet vlerësimit të interesave, vlerave dhe aftësive profesionale
  • Trainime/workshop-e për zhvillimin e aftësive që mund të rrisin mundësitë e hyrjes së të diplomuarve në tregun e punës
  • Informimi dhe promovimi i mundësisë së internshipeve, vendeve të punës, etj
  • Këshillimi i studentëve të UT që diplomohen në Ciklin e parë për mundësitë e studimeve
    në Ciklin e Dytë në UT ose universitete të tjera jashtë vendit
  • Mbajtja e kontaktit me alumnët dhe ndërthurja e kërkesave dhe ofertave të edukimit gjatë
    gjithë jetës
  • Lidhja e vazhdueshme dhe aktive me kompanitë brenda dhe jashtë vendit si dhe vlerësimi/analiza e kërkesave të tyre për forcë pune
  • Aktivitete të ndryshme promovuese dhe informuese ndër të cilat rëndësi të veçantë zë organizimi i përvitshëm i Panairit të Punës
  • Informimi i maturantëve, studentëve të ardhshëm për programet e studimit, kriteret e pranimit dhe politikat e UT.
Kërkimi Shkencor dhe Projektet

Kërkimi Shkencor dhe Projektet mbulojnë gjithë bashkëpunimet me universitetet e huaja, zbatimin e marrëveshjeve të lidhura me to, aktivitetet në kuadrin e Rrjeteve Universitare Ballkanike, Evropiane dhe më gjerë, zbatimin e projekteve ndërkombëtare në të cilat merr pjesë institucioni, në përputhje me ligjet e Shtetit Shqiptar.
Programi Erasmus +
Universiteti i Tiranës, që prej vitit 2014, është pjesë e programit Erasmsus+ të lançuar nga Bashkimi Europian, i cili synon ndër të tjera krijimin e mundësive të studimit, mësimdhënies dhe trajnimit jashtë vendit në periudha të shkurtra. Bursat përfshijnë:

  • Shkëmbimin e studentëve të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë të studimeve
  • Shkëmbimin e stafit akademik për mësimdhënie
  • Shkëmbimin e stafit për trajnim.
    Universiteti i Tiranës:
  • ka aktualisht mbi 100 marrëveshje aktive që mundësojnë këto shkëmbime
  • ka marrëveshje me rreth 25 shtete partnere
  • ka ecuri gjithnjë e në rritje të shkëmbimeve studentore.
    Bursat e ofruara ndikojnë ndjeshëm në rritjen e njohurive, kualifikimit dhe eksperiencës suaj, në
    njohjen dhe sigurimin e një literature bashkëkohore të nevojshme për aktivitetin tuaj pedagogjikoshkencor dhe në krijimin e kontakteve personale dhe institucionale për mundësi bashkëpunimi me
    kolegë apo universitete të tjera.
    Informacioni për këto bursa:
  • website – unitir.edu.al.
  • Seksioni Programe shkëmbimi
  • Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë në Universitetin e Tiranës – iro@unitir.edu.al
  • Informacion pranë fakultetit tuaj.
Sekretaria Mësimore

Sekretaria mësimore është një nga strukturat më të rëndësishme që gjendet brenda çdo fakulteti të UT-së. Sekretaria mësimore është një strukturë e krijuar për të përmbushur sa më mirë detyrat e organizimit të procesit mësimor të fakultetit, në shërbim të studentëve dhe të stafit akademik. Personeli i sekretarisë mësimore punon me ndjenjë të lartë përgjegjshmërie për të zbatuar Statutin e UT, Rregulloren e UT në procesin e mësimdhënies në gjithë aktivitetet e fakultetit, për të patur rezultate të larta në punë, si dhe u shërben me përkushtim studentëve dhe stafit akademik. Sekretaria mësimore ka në principin e saj zbatimin e ligjshmërisë dhe punon për mbarëvajtjen e gjithë aktivitetit mësimor të fakultetit. Kjo strukturë është përgjegjëse për korrektësinë e plotësimit dhe mbajtjes së dokumentacionit, si dhe të informimit të studentëve dhe stafit akademik. Pranë sekretarive mësimore bëhet regjistrimi i studentëve të vitit të parë në regjistrin themeltar në bazë të listës së fituesve si dhe regjistrimi i studentëve të viteve të tjera. Këtu studentët mund të marrin shërbim për plotësimin e vërtetimeve të ndryshme, librezat e notave, kartat e studentit si dhe dublikatat e tyre kur është e nevojshme, etj.