Bursat
Jeta e studentit është mjaft dinamike. Si e tillë, të papriturat me të cilat studentët përballen mund të kërkojnë, ndër të tjera, edhe një buxhet të konsoliduar nga pikëpamja financiare. Qiraja e shtëpisë, fatura e ujit dhe e energjisë elektrike, fatura e internetit, librat dhe fletoret, por edhe shumë shpenzime të tjera janë terma të dëgjuara për studentët. Ndonjëherë është e vështirë që të gjitha këto shpenzime të mbulohen nga buxheti “minimalist” i një studenti. Teksa një pjesë e studentëve e gjejnë zgjidhjen te punësimi për të siguruar mbulimin e shpenzimeve të muajit, ka edhe studentë që përdorin forma alternative për shkak të statusit që gëzojnë apo arritjeve mësimore që kanë. Po flasim për bursat, të cilat iu ofrohen studentëve të kategorive të ndryshme për të përballuar një pjesë të shpenzimeve të tyre. Bursat për studentët shqiptarë aktualisht ndahen në dy kategori: bursa për studentë të konsideruar si ekselentë dhe bursa për studentë të kategorive sociale.
Studentët të konsideruar si ekselentë janë ata të cilët e kanë mesataren e vitit paraardhës 9-10. Pra nëse një student është në vit të dytë në Bachelor dhe ka mesataren e vitit të parë 9.5 atëherë ai përfiton bursë ekselence. Për vitin e tretë, si referencë për mesataren do të merret vetëm viti i dytë, ndërsa për studentët e vitit të parë përdoret mesatarja e gjimnazit (duke përfshirë edhe provimet e maturës). Niveli i bursës për këtë kategori është 10,000 lekë në muaj dhe ofrohet vetëm për muajt e vitit akademik, pra duke mos përfshirë muajt e pushimeve verore.
Kategoria tjetër përfshin studentë që i përkasin kategorive të ndryshme sociale si: studentët, familja e të cilëve përfiton ndihmë ekonomike, studentët të cilët i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton, studentët që kanë përfituar statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç, bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, përfitojnë secili bursë financiare etj. Edhe në këtë rast niveli i bursës është 10. 000 lekë në muaj dhe ofrohet vetëm për muajt e përfshirë në vitin akademik.
Për më tepër, për këtë kategori studentësh, referojuni tabelës së mëposhtme e cila jep informacion për kategorinë ku studenti mund të bëjë pjesë si dhe dokumentat që duhet të dorëzojë për të qenë përfitues i bursës.
Kategoritë përfituese ose dokumentacioni i nevojshëm mund të ndryshojë sipas VKM-ve përkatëse. Informacione më zgjeruara dhe të përditësuara mund t’i gjeni në zyrën e financës pranë fakultetit tuaj.
Pika | Kategoria | Dokumentacioni i nevojshem |
---|---|---|
1 | Studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihme ekonomike | Çertifikatë familjare, kopje kartë indentiteti, Vërtetim nga Njësia administrative vendore që familja e studentit trajtohet me ndihmë ekonomike |
2 | Bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, përfitojnë secili bursë financiare | Çertifikatë familjare, kopje id, Vërtetim studenti nga institucionet publike IAL |
3 | Studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar | Kopje kartë indentiteti, Vërtetim i pagesës nga DRSHS, Kopje e vendimit të K.M.C.A.P |
4 | Studentët të cilët kanë të paktin njërin prind me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar. | Çertifikatë familjare, kopje kartë indentiteti, Vërtetim i pagesës nga DRSHS, Kopje e vendimit të K.M.C.A.P për prindin. |